Rruga ua vështirëson jetën banorëve

Dobërdol, 28 Korrik – Rruga që shpije nga qendra e fshatit Doberdol për tek lagjja Berisha dhe Xhaferaj është një rrugë që ngjason më shumë me rrugicat që të shpijnë për të tokat bujqësore ku janë aq të dëmtuara saçe kalimi me makina të vogla shpesh është i pamundur gjatë sezonës se verës. Rruga është e ngushtë e dëmtuar në masë të madhe ku përgjatë saj kalojnë edhe ujërat me të cilat banorët ujisin tokat bujqësore, madje nga mungesa e qarkullimit të makinave apo qarkullimit të makinave të mëdha në rrugë ka filluar edhe bari të mbijë.

Ndërsa gjatë sezones së reshjeve kjo rrugë bëhet e pa kalueshme për automjete të vogla, ndërsa këmbësoret duhet të përdorin si alternativë të lëvizjes livadhet apo arat që shtrihen përgjatë kësaj rruge. Fëmijët të cilët ndjekin mësimin në shkollë çdo herë me vete duhet bartin nga dy palë veshmbathje, një palë çizme llastiku që ndihmon ata të mos lagen dhe të mos ndyhen me baltën e rrugës dhe një palë këpucë që duhet t’i mbathin pasi të kenë kaluar këtë rrugë.

Banorët e kësaj zone thonë se kanë kërkuar ndihmë nga kuvendi komunal në Pejë, madje janë ankuar edhe në media por prapëseprapë problemi mbetet i njëjtë edhe përkundër premtimeve që u ishin dhënë se do të rregullohet kjo rrugë.

Njëri nga kryefamiljarët që jeton në këtë pjesë të fshatit Doberdol, Malush Berisha thotë se “Rruga është katastrofë, nuk mundemi me lëviz me makina tani që është vera, e mund ta paramendoni se si bëhet gjatë vjeshtës dhe dimrit, duhemi veç me traktor të kalojmë ose me pas ndonjë helikopter se ndryshe nuk kalohet për këtë rrugë”.

Ai thotë se drejtori i drejtorisë për Shërbime Publike dhe punë komunale, Ukë Selimaj, ka premtuar se do të ndihmojë këto pak familje të kësaj lagje në rregullimin e kësaj rruge, mirëpo ai ka humbur shpresat se një gjë e tillë do të ndodhë tani.

Rruga nga lagjja ku jetojnë tri familjet Berisha dhe ajo Xhaferaj deri tek qendra e fshatit ka një gjatësi prej 2 kilometra dhe një gjerësi prej dy metra, dhe kërkesa e banorëve është që kjo rrugë të rrafshohet dhe të bëhet shtrimi i saj me zhavorr pasi që është më pak e kushtueshme për kuvendin komunal.

Ata shpresojnë që kjo rrugë do të rregullohet me zhavorr gjatë këtij viti para sezonës së reshjeve me shpresën se pas dy viteve edhe të bëhet asfaltimi i saj pasi që kjo ndikon direkt në përmirësimin e jetës së tyre dhe lëvizjes normale dhe të sigurt.