Sindikatat vizita në biznese për të folur për të drejtat e punëtorëve

19 dhe 20 tetor - Syri i Vizionit bashkë me sindikatat, ka realizuar vizitën në bizneset e Komunës së Pejës, Klinës dhe Istogut. Qëllimi i kësaj vizite ishte informimi i punëtorëve dhe vetë bizneseve mbi rëndësinë e organizimit sindikal brenda bizneseve, anëtarësimi i punëtorëve në këto sindikata, si dhe të drejtat e punëtorëve sipas Ligjit të punës.
Gjatë vizitave është diskutuar për rëndësinë e organizimit sindikal dhe shkeljet e të drejtave të punëtoreve në sektorin privat dhe publik. Është parë shumë e rëndësishme nisma e informimit të bizneseve, për t’i informuar që sindikatat nuk janë një akter kundërshtar i tyre, po një organ ndihmës për përfaqësimin e punëtoreve në biznes, institucione apo organe tjera. Poashtu e një rëndësie të veçantë është vlerësuar iniciativa e ndërmarrë për vetëdijesimin e punëtorëve dhe qytetarëve, mbi rolin dhe funksionimin e sindikatave si një akter ndërmjetësimi mes punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe si një zë për ngritjen e shqetësimeve apo shkeljeve të të drejtave të punëtoreve dhe mbrojtjen e tyre.
Sindikatat të cilat janë aktive në këto komuna ku është duke u implementuar projekti, janë treguar të gatshëm për bashkëpunim me organizatën Syri i Vizionit, në iniciativën e informimit mbi rolin e sindikatave të cilën edhe e kanë vlerësuar si një nismë të qëlluar.
Andaj gjatë vizitave Syri i Vizionit, sindikatat, bizneset dhe punëtoret kanë ndarë përvojat e tyre, vështirësitë dhe mundësinë e bashkëpunimit në iniciativat e organizimit sindikal.
Kjo vizitë është vazhdim i aktiviteteve që realizohen në kuadër të projektit “Qytetaria Aktive”, që ka për qëllim zhvillimin e qytetarisë aktive në Kosovë. Projekti është duke u realizuar tash e sa vite në rajonin e Pejës dhe Prizrenit nga OJQ “Syri i Vizionit” mbështetur nga organizata Olof Palme International Center.